Malaj po grabit VEFA-n
Akuzat të rënda për çifin Malaj. VEFA kërkon zhbllokimin e llogarive të saj bankare dhe rikthimin e milionave të grabitura. Zhurmues në BBC për akuzat e Alimuçajt
SKANDAL / Udhëheqësi dhe vendime të fshehta zbrazin depozitat e kompanisë së Alimuçajt në bankat e nivelit të dytë
Malaj po grabit VEFA-n
Akuza të rënda për çifin Malaj. VEFA kërkon zhbllokimin e llogarive të saj bankare dhe rikthimin e milionave të grabitura. Zhurmues në BBC për akuzat e Alimuçajt
Shqipëria, në greva dhe protesta
Pakenaqësia e shqiptarëve rreth Nanon.
Qeveria socialiste e Fatos Nanos po mundohet me të gjitha mënyrat të pengojë veprimtaritë financiare të Vefa-s, gjë e cila lidhet me mospëlqimin personal të kryeministrit aktual ndaj presidentit të Vefa-s, Vehbi Alimuçaj. Nga një anë, qeveria po mban të bllokuara mbi një e gjysëm milionë USD, nga një kompani private e depozituara në skemën piramidale „Gjallica“. Veprimi i pamotivuar i qeverisë së Nanos duket se ka për qëllim jo vetëm dëmtimin e Vefa-s, por edhe bllokimin e parasë së qindra mijëra firmëtarëve të kësaj firme, që do t’u kthehej pas përfundimit të procedurave të falimentimit. Injorimi i interesit të qindra mijëra shtetasve prej kryeministrit aktual ka bërë që mëngjesi i djeshëm të fillojë me një grevë të grave ish-punonjëse të Vefa-s dhe me paralajmërimet për një grevë të përgjithshme. Sipas burimeve të mirëinformuara pranë Vefa-s, gjendja mes kryeministrit Fatos Nano dhe presidentit të Vefa-s, Vehbi Alimuçaj u tensionua pas intervistës së këtij të fundit, dhënë për „Zërin e Amerikës“, ku ai akuzonte qeverinë socialiste se po i bllokonte depozitat e fshehura në Bankën e Shqipërisë. Burimet në fjalë bëjnë të ditur se pas kësaj interviste Nano ka kërkuar në telefon ministrin e Financave, Arben Malaj, dhe më pas guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, të bllokojnë deri në një urdhër të dytë veprimtarinë bankare të grupit Vefa. Në të njëjtën kohë, i shoqëruar edhe nga persona të tjerë dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Kosta Goga, Malaj po qëndronte përpara zyrave të Alimuçajt, duke i kërkuar dokumentacionin për veprimtarinë bankare të këtij grupi. Ky dyzim ministër-inspektor policie i Malajt tregon se pozitat në qeveri të ministrit të Financave kanë zbritur jo pak, përderisa ai kërkon të zgjidhë me polici një problem për të cilin duhet të ndjekë rrugë administrative. Rasti i ndërhyrjes së ministrit të Financave në aktivitetet bankare të një grupi privat, sipas specialistëve të financave dhe të fushës juridike, nuk është parë ndonjëherë në vendin tonë. Madje, personalitete të njohura të fushës shprehen se veprimtaria e Malajt është e paligjshme përderisa asaj i mungon vendimi i gjykatës për bllokimin e llogarive bankare të Vefa-s. Ajo çka është vërejtur të paktën në grevën e djeshme të grave ish-punonjëse të Vefa-s, ka qenë se qeveria e Nanos po synon të krijojë një precedent të rrezikshëm për jetën ekonomike të vendit tonë. Një gjë e tillë sigurisht që i shkonte për shtat ish-pushtetit komunist, të cilit problemi i aktivitetit privat nuk i hyri kurrë në sy për gjë tjetër veçse për ta luftuar. Në qoftë se shqiptarët janë mësuar me sjellje të tilla që nga qeveritë socialiste, kjo gjë merr vlerë edhe më të madhe po të kemi parasysh se Shqipëria e pasnëntë muajve të fundit nuk ka patur asnjë rast të ngjashëm me radhë nga qeverisja e forcave të djathta.
Protestuesit e kryeqytetit në ditën e tetëmbëdhjetë
Titana do të rrezojë qeverinë e mashtrimit
Dita e 18 e grevës së urisë është karakterizuar nga një numër i madh qytetarësh të ardhur nga i gjithë kryeqyteti. Duke qenë të revoltuar nga qëndrimi i mazhorancës parlamentare të majtë kundër kërkesës së drejtë të ish-pronarëve, ata janë bërë pjesë e protestës së djeshme, duke i dhënë një frymëmarrje më të madhe kësaj greve. Të gjithë së bashku, të revoltuar nga qëndrimi absurd i qeverisë socialiste, këta protestues janë shprehur se vazhdimi i grevës së urisë është e vetmja rrugë që do të çojë në rrëzimin e pushtetit të mashtrimit. Të tillë janë shprehur dje edhe përfaqësues të subjekteve të tjera politike, që i janë bashkuar në mënyrë të herëpashershme protestuesve në pjesën para parlamentit. Të pranishmit kanë deklaruar para deputetëve se „Treçereku i Shqipërisë e llogarit qeverinë e Nanos si të padenjë për qeverisje“. Të revoltuar nga shkallëzimi i varfërisë dhe i mjerimit, disa prej protestuesve kanë hedhur parrulla kundër qeverisë dhe kryeministrit. Në to bien në sy etiketimi i Nanos me nofka të tilla si „hajdut“, „komunist“, „Saddam“, „Shtazë e pangopur“ etj. Kjo ishte dita e 18 e grevës së urisë e zhvilluar para parlamentit, e cila po bëhet gjithnjë e më problematike jo vetëm për këta grevistë, por edhe për qeverinë e Nanos. Nga ana e saj, kjo e fundit po bën të pamundurën për ta lënë grevën në heshtje, ashtu siç veproi me grevën e ish-ushtarakëve, por duket se është e detyruar ta kapërcejë këtë metodë dështake, për vetë faktin se tashmë kjo grevë bëhet përditë e më shqetësuese.
Pengohet protesta „duam paratë tona?“
Policët rrëmbejnë sheshin e Universitetit të Tiranës
Ishte hera e parë për 12 ditë grevë që sheshi para Parlamentit nuk ushtonte nga thirrjet „Duam paratë tona“. Këtë herë nuk po kërkonin lekët e humbura nga investimet në NC, por pagat e prapambetura dhe kompensimin e 16 muajve pa punë. Njerëzit e Vefa-s duhet të dilnin para Kryeministrisë në orën 11, por policia e kryeqytetit, e urdhëruar nga qeveria, u kishte zënë sheshin përpara Universitetit me forca të shumta dhe me gardh policor. E revoltuar nga kjo sjellje, turma është nisur drejt sheshit „Skënderbej“, por policia e kryeqytetit i ka hedhur asaj para përpara forca të shumta policore. Kështu, është shmangur edhe përplasja me turmën e protestuesve dhe qeveria ka fituar për një ditë „betejën“ me punonjëset e Vefa-s. Të shoqëruar nga bashkëshortët e tyre, gratë protestuese janë ndaluar nga policia pranë sheshit para muzeut dhe janë bërë pjesë e një grumbullimi të improvizuar ku policia i kishte bllokuar. Ato kanë qëndruar aty deri sa disa nga zëdhënësit e tyre kanë zhvilluar një bisedë me drejtorin e Policisë së Tiranës, Kosta Goga. Sipas tyre, ky i fundit i ka siguruar protestuesit se qeveria nuk do t’i pengonte më në protesta, por që dje një gjë e tillë ishte e pamundur për shkak se në sheshin para Universitetit do të skenohej një film. Ato kanë pyetur se me çfarë lidhjeje ishte filmi dhe nëse kishte këtë qëllim, por përderisa nuk ka marrë përgjigje, kanë zhvilluar protestën në sheshin para muzeut, duke kërkuar me forcë zhbllokimin e llogarive.
NE FAQEN 5